Një tentativë grabitjeje e denjë për një skenar të serialit “Casa del Papel”, u zbulua nga policia e Tiranës të hënën pasdite gjatë një patrullimi rutinë në bulevardin “Zogu Parë”, pranë ish- stacionit të trenit. Lajmi u bë i ditur nga burime të policisë të cilët theksuan se persona të panjohur kishin hapur një tunel të nëndheshëm në një pusetë që të dërgonte në drejtim të bankës. Autorët kanë punuar me matrapik e mjete të tjera të ngjashme për hapjen e tunelit në drejtim të bankës. Punimet janë kryer gjatë orëve të ditës dhe për të zvogëluar nivelin e zhurmave autorët kanë përdorur silikon dhe pajisje të tjera zhurmëhumbëse. Gjatë kqyrjes së së tunelit, policia ka vënë re dhe ka administruar si prova, objekte dhe sende të tjera që sipas hetuesve mund të jenë të vlefshme për hetimin.