Mbështet Albanian Daily

E përditshme, për të gjithë
BallinaOpinionKolumnistTë qelbur nga korrupsioni i plehrave

Të qelbur nga korrupsioni i plehrave

Si ka mundësi që një person i vetëm i merr këto tre procedura dhe sa janë shanset që asnjë kompani tjetër të mos ketë shprehur interes për këtë koncension?!

Nëse hetohet siç duhet, çështja e plehrave ka një potencial të madh të nxjerrë në pah korrupsionin masiv të ndërlidhur mes biznesit të politikës. I tillë është edhe skandali i faturave fiktive.

Pyetja kryesore që kërkon përgjigje është: Çfarë e detyroi këtë kompani që të mbledhë apo prodhojë fatura fiktive?

Çështja në fjalë kuptohet edhe më tepër nëse analizën e nisim që në zanafillën e saj. Për shembull,  nëse fokusohemi te kontrata koncensionare e inceneratorit të Tiranës shohim se ajo është një kontratë standarde koncensioni, ku privati ka detyrim të realizojë investimin e kërkuar dhe shteti i siguron pagesën për shërbimin që do të ofrohet.

Situata ndryshon kryekëput nëse vlerësojmë procedurën e konkurimit, e cila e gjitha mban erë plehu: Kemi të bëjmë me një individ të vetëm, i cili angazhon edhe bashkëshorten dhe kompani të tjera guackë që të dalë fitues në tre procedura të ndryshme, në kohë të ndryshme, siç janë inceneratori i Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.

Pyetja e thjeshtë këtu është: Si ka mundësi që një person i vetëm i merr këto tre procedura dhe sa janë shanset që asnjë kompani tjetër të mos ketë shprehur interes për këtë koncension?!

Askush nuk e di ende se çfarë kapaciteti financiar ka patur kompania fituese e këtyre koncensioneve apo pronari fundor i saj për të siguruar shtetin shqiptar se do të realizojë investimin e premtuar.

Kompania në fjalë është zotuar që të kryejë një investim prej 150 milion eurosh për 6 vite.

A ka një raport se sa është investuar realisht deri më tani? Nëse ka, pse nuk bëhet publik?

Pavarësisht mospajtimit të ndonjë ministrie kur u nënshkrua kontrata, Bashkia e Tiranës ka marrë përsipër pagesën prej 29 euro/ ton për incenerimin e mbetjeve: Si mundet që kjo pagesë i bëhet kompanisë private e plotë, ndërkohë që impianti nuk është ende funksional?

Në fakt, ajo që vërtetë kompania koncensionare ka bërë deri më tani, është groposja e plehrave duke përdorur dheun e kompanive të ndërtimit të dërguar me detyrim në këtë impiant, madje edhe duke e paguar atë, për gjoja përpunimin e tyre.

Kjo e dherave është gjetja më spektakolare e aventurierëve shqiptarë për t’i dhënë kësaj kompanie koncensionare të drejtën për të mbledhur dhe përpunuar dherat e dala nga gropat e ndërtimit.

Në çdo vend normal, këto dhera përdoren nga bashkitë për nevojat e rregullimit të territorit dhe nuk depozitohen me pagesë të një koncensionar nën kërcënimin e gjobave. Por ne nuk jemi një vend normal.

 Shembulli shqiptar është unik: Kompanitë e ndërtimit detyrohen t’i çojnë vetë deri në territorin e kompanisë koncensionare duke paguar edhe 60 euro për kamion për depozitim dhe trajtim. Deri më tani nuk dimë të ketë patur ndonjë trajtim të këtij dheu. Atëhere përse paguhen këto shifra marramendëse?!

Duke marrë parasysh vrullin e ndërtimeve gjatë viteve të fundit në Tiranë, përllogaritet që kompanitë e ndërtimit të kenë paguar rreth 40 milion euro te ky koncensionar vetëm për depozitimin e dherave dhe inerteve, megjithatë ne nuk dimë aspak se çfarë ka bërë kompania me këto para.

Mirë paratë janë paguar, po a kanë shkuar në llogari të kompanisë koncensionare apo diku tjetër?

Sepse të gjithë e dinë në Tiranë që Policia e Bashkiake i ndjek me “bukë në trastë” kamionët e dherave gjatë lëvizjeve nëpër kryeqytet pasi “shefat” janë mbajtur “me të mira” nga koncensionari për të detyruar çdokënd që të dërgojë me pahir dherat atje kundrejt pagesës 60 euro/ kamioni.

Kushdo që ndërton në Tiranë ndodhet para zgjedhjes: Ose të paguajë 60 euro/ kamioni për depozitimin e dherave ose të japë apartamente, dyqane apo ambiente të tjera biznesi për llogari të drejtuesit e kompanisë së koncensionit. Mirëpo, ne nuk e dimë ende se në emër të kujt janë regjistruar këto hapësira ndërtimi. Kjo i përket organeve të hetimit ta zbulojnë.

Fenomeni tjetër që po ndodh aktualisht me ndërtimet në kryeqytet është edhe me spektakolar se ai i pari.

Ndërkohë që mjaft ndërtues detyrohen të paguajnë pasi depozitojnë dherat te koncensionari i inceneratorit, ca të tjerë, me lidhje të forta në qeveri, nuk e bëjnë këtë edhe pse po ndërtojnë kulla në mes të Tiranës.

Në fakt, ata paguajnë, por jo koncensionarin. Mjafton një hetim bazik për këtë i prokurorëve të ndershëm të këtij vendi për të zbuluar një aferë që po ashtu mban erë dhe për të cilën të gjithë flasin në kryeqytet.

Rikthehemi të inceneratorët.

Rezulton se kompania koncensionare e inceneratorit të Tiranës ka patur të ardhura të konsiderueshme nga disa burime, siç janë pagesat 29 euro/ ton për plehrat nga paratë publike si edhe pagesat 60 euro/ kamioni nga ndërtuesit për depozitimin e dherave. Nga ana tjetër, investimet kanë qenë tepër minimale dhe koncensionarit i është dashur të ndërtojë një skemë banale mashtrimi përmes faturave të rreme për të mbuluar thasët me para që kanë mbledhur, por edhe pagesat korruptive ndaj vendimarrësve të rendësishëm të këtij vendi.

Për të kryer këtë operacion, kanë përdorur fatura fiktive të lëshuara nga kompani me pronarë të moshuar që jetojnë në azil, të cilëve iu kanë vjedhur identitetin, por edhe kanë marrë fatura të fryra për punë të pabëra nga kompani reale.

Për shembull, nëse nga një kompani betoni kanë blerë X metër kub beton, e kanë faturuar sikur kanë blerë dhjetëfishin e kësaj sasie duke i kryer kompanisë në fjalë pagesën për punën e supozuar, ndërkohë që paratë tërhiqeshin më pas CASH.

Një analizë e thelluar e të ardhurave dhe shpenzimeve të koncensionarit dhe këtyre kompanive do të nxirrtë gjithçka në pah…për ata që nuk e dinë ende.

Kur e sheh me qetësi të gjithë pikturën e krijuar kupton me lehtësi se përse të trija procedurat i ka fituar një person dhe se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar dhe të dirigjuar, ndërkohë që duket qartë që nuk mundet që një aventurier të organizojë o vetëm, me kokën e tij të gjithë këtë skemë galopante korrupsioni që ka “ngrënë” dhe do të “hajë” koka të mëdha.

Tani është tërësisht e qartë edhe fakti se përse më shumë se 10 VKM janë miratuar brenda një ditë, pse kryebashkiaku i Tiranës ka anashkaluar Këshillin Bashkiak dhe përse asnjë institucion i qeverisjes qendrore apo lokale nuk e ka audituar këtë koncension, përfshi këtu edhe KLSH-në.

Tani rikthehemi   te pyetja: Çfarë i detyroi ata që të bëjnë fatura fiktive?

Fenomeni i faturave fiktive ka më shumë se 20 vjet që ndodh në Shqipëri, madje tashmë është bërë edhe më i sofistikuar, sidomos te kompanitë e mëdha që përfitojnë “pjesën e luanit” në tenderët publik.

Një hetim për një praktikë të ngjashme u bë edhe në vitin 2018 dhe u finalizua me dënimin e disa hallexhijve si këta të moshuarit e azileve,  ndërkohë që kompanitë e mëdha si Salillari; Geci; Gjoka apo Gener 2 u falën.

Janë “peshkaqenët” dhe të ngjashmit e tyre që i fitojnë tenderët me vlera sa 99% e fondit limit dhe më pas paguajnë “20 përqindshin” atje “sipër”. Këtu pastaj futen në lojë sërish faturat fiktive pasi duhen justifikuar shpenzimet, por edhe duhet ulur fitimi në mënyrë që të mos paguajnë në fund tatim mbi fitimin.

Përmes këtyre faturave dalin po ashtu edhe pagesat për politikanët që të firmosin lehtësisht apo për mediat që të heshtin.

Është pikërisht kjo arsyeja se përse kostoja e një kilometri rruge ka shkuar 6 milion euro në Shqipëri, më e larta në Europë. 

Ndryshe nga vendet e tjera, vjedhjet në Shqipëri bëhen hapur dhe të gjithë dinë gjithçka. Hetimi i korrupsionit galopant do të jetë testi i vërtetë i SPAK-ut, por edhe ambasadave perëndimore në vend për të treguar se sa seriozisht e kishin Reformën në Drejtësi.

Shpallja “non grata” e ish-kryeministrit Berisha nga Departamenti i Shtetit, me argumentin e “korrupsionit masiv” është një standard i ri dhe shumë ambicioz i vendosur nga SHBA-të në Shqipëri. Aktualisht, shqiptarët janë duke pritur që ky standard të aplikohet edhe për politikanë të tjerë në vend. Kjo duket se do të jetë edhe sprova më e madhe e amerikanëve për të përligjur besimin e popullit shqiptar ndaj SHBA-ve.

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Related stories