Mbështet Albanian Daily

E përditshme, për të gjithë
BallinaKulturëMbreti Lir zbret në Tiranë

Mbreti Lir zbret në Tiranë

Teatri i Metropolit rivuri në skenë të tragjedinë e Shekspirit. Një kritikë rreth intepretimit dhe regjisë së shfaqjes

Herën e parë më iku, por jo në këtë seri shfaqjesh që filluan mbrëmë (të enjten 21 tetor 2022. Shënim i redaktorit). Duhet thënë se vënia në skenë nga një teatër lokal i “Mbretit Lir”, është o shprehje pjekurie dhe vetësigurie ose shenjë marrëzie. Nganjëherë edhe dinakërie. Një tekst i Shekspirit bën këdo të kthejë kokën.

Në fillimet e veta, regjia, duke synuar mbase t’i japë një “La” të ndjeshme ritmit që do të mbante gjatë ecurisë së saj, më fort më bëri të ndjej zhurmë rreshtoreje që më futi në atmosferën e një diktature afrikane të sapo ardhur në fuqi.

Dalja në skenë e Goneril- ës që në një fare mënyrë thjesht mitralonte tekstin e saj, nuk është se ndryshoi shumë atmosferën. Pastaj me kohë, shfaqja nisi të ngrohej. Konfiguracioni i asaj salle, me gjasa në një të tillë do të jetë dhënë edhe premiera, thuajse pesë shekuj më parë, ofronte mundësi të shumta.

Mizanskenat dhe gjetjet interesante të regjisores Jonida Beqo, për t’u lënë liri veprimi aktorëve nuk mungonin, por ato hyrjet e daljet, gjithnjë me vrap e në nxitim e sipër, nuk më bindnin shumë, sikundër ha diskutim edhe zgjidhja për të lënë ulur në mes të skenës, për një kohë relativisht të gjatë në skenat e fundit, të mbretit Lir dhe Kordelias. Në mungesë që të bënin gjësendi më të mirë, ata prisnin të mërzitur që të tjerët të mbaronin punë me tekstin e tyre…

Është e qartë, mbeteshin pjesë e mizanskena që kishin nevojë të punoheshin, ku ndihej një lloj pasigurie dhe ngathtësie, por kishte një grup aktorësh që tërhiqnin vemëndjen dhe mbain gjallë interesin e shikuesit, megjithë eklektizmi e muzikës dhe kostumeve.

Me kohë aktorët K. Konomi dhe A. Demaj arritën t’i japin tipare më të qarta Gonerilas dhe Reganës. E kam të vështirë ta them këtë për Kordelian. Kam përshtypjen se ajo ishte pak viktimë e peshës së rëndë që përfaqësonte Viktor me skeptrin e mbertit Lir. Të gravitosh rreth tij, gjithmonë do të ketë diçka që mbetet në hije nga të tjerët.

Kam përshtypjen se me kohë kanë krijuar personalitetin e tyre edhe një brez i ri e i mesëm aktorësh. R Toçe në rolin e Edgarit dhe Zeqja në atë të Edmundit, M. Dhrami në rolin e kontit Kent, dukej se kishin punuar shumë. Edhe K. Dumo kishte krijuar një Osvald interesant.

Nuk ishin të vetmit, por më vjen keq që nuk mbajta shënim emrat e të tjerëve.

Zhusti është i mrekullueshëm. Por kam përshtypjen se rolin e mbante disi rrotull vetes, për veten dhe partnerët e tij të “rrethit të parë”, atyre që u drejtonte fjalën. Mua më dukej vetja si të isha ndodhur rastësisht aty, se shfaqja nuk po jepej për mua, edhe pse me një copë letër në xhep mund të provoja në çdo çast se nuk kisha hyrë pa biletë.

Kishte një vështrim të vetin minimalist e intimist. Mjaft interesant në vetvete!

Befasia ime e madhe ishte figura e mrekullueshme që kishte krijuar Sokol Angjeli në rolin e Glousterit. i plotë, bindës, tragjik, i zhgënjyer, i tradhtuar, i masakruar dhe gjithnjë e besnik ndaj mbretit të tij. Mbi të gjitha i vërtetë. Një “bishë” skene!

Skena pastaj ku ata janë të dy, Zhusti dhe Angjeli, qe nga kulmet e shfaqjes, gjë që duhet thënë se nuk është fort normale. Në pikëpamje dramaturgjike, ka momente të tjera që të gjithë i njohim ku duhej të rëndonte shfaqja. Por arti i atyre të dyve në atë skenë ishte sublim.

Së fundi, i lejoj vetes, pa dashur t’i imponohem askujt, madje as pranoj debat për këtë se : shfaqja ishte e Viktor Zhustit, por roli ishte i Sokol Angjelit!

- Reklame -
Google search engine

Most Popular

Related stories