Ka ditë në jetë qe nuk i fshijnë kurrë dallgët e harresës. Ditë si e sotmja që shkojne e zenë vend në atë kutinë e vogël të kujtimeve dhe që ne e marrim me vete ngado. E kam thënë edhe më parë, për fat, ne nuk na tarifojnë për peshen e kujtimeve! Sot takova Teuta Tabakun. E takova them keshtu nga afer, si takohet njeriu me njeriun, sy më sy, se me të kam më shumë se 10 vite njohje në distancë. Unë kam sy të mprehtë e nuk e kam të zorshme të dalloj kë kam përballë, por Teutën e kam parë me sytë e zemrës dhe e kam ndjerë nga aq larg çfarë njeriu, mesueseje, gruaje, nëne dhe mikeje është ajo. Po kështu nga afër, pashë tek ajo diçka prej qielli dhe kjo nuk ka të bëjë fare me sytë e saj të kthjellët e të kaltër, po me atë burim drite që vjen nga brenda saj. Teuta jeton në Bursa të Turqisë që këtu e 30-të vite më parë. Kur iku nga Shqiperia, kishte në gji vajzën e saj 9-muajshe. Më parë kishte ikur i ati, një burrë i persekutuar dhe dënuar katër herë për agjitacion dhe propagandë. E ndihmuan disa shqiptarë nga Kosova, 6 prej të cilëve i kishte mbajtur në shtëpinë e tij në Tiranë në vitin 1981, pas protestave të shtypura me gazlotsjellës nga serbët në Prishtinë e mbarë Kosovën. Teuta nuk e dinte atëhere sa shumë vite, peripeci, përpjekje, sakrifica do të kalonte në qytetin e Bursës, ky jeton tashmë prej 30- vitesh. Përpjekjet e mëdha ndonjëherë ta ngushtojnë shpirtin, ta përkulin kurrizin e ta mbushin zemrën me mllef e mërzi, por disa njerëzve të tjerë ua lartësojnë në figurën e tyre prej njeriu ashtu si ndodhi me Teutën. Teuta njihet tashme në gjithë diasporën shqiptare në Turqi si mesuesja e gjuhës shqipe. Kontributi i saj i kalon përmasat e një historie normale. Vetëm gjatë pandemisë ajo punoi me 1500 nxënës dhe studentë të gjuhës shqipe. Poshtë koracës prej qindra vitesh harresë, ajo ka zgjuar tek shqiptaret e Turqisë rrënjët e të parëve. “Me janë dashur shumë vite punë për të arritur deri ketu. Kam nxjerrë nga shtëpi gra që nuk dinin të shkruanin as në turqisht. Tani shumë prej studentëve të mi,- thotë ajo, po e mbrojnë shqipen si gjuhë të dytë në universitet”. Shteti shqiptar nuk ka qenë shumë pranë saj, por Kosova po. Shpërndarja e 1500 abetareve kontribut i shtetit të Kosovës dhe qendrës së botimeve të Diasporës i ka hapur jo pak probleme. Sigurisht dihet kush i hap problemet me turqit; Skenderbeu! Ajo është hetuar për këto libra dhe ka marrë kërcënime për jetën për këto tekste. Letra e saj për ndihmë drejtuar organeve kompetente shqiptare ra në vesh të shurdhër. Sigurisht, në tokën e Skenderbeut nuk ka më skënderbenj! Po ajo ama mund te jetë një Teutë si mbretëresha e Ilirisë*
Profil/Teuta, mësuesja shqiptare në Bursa të Turqisë që ringjall gjuhën shqipe
“Shteti shqiptar më harroi, ndërsa Kosova më mbrojti në gjirin e saj, kur më kërcënohej jeta pasi abetaret dhe librat që ndaja me nxënësit shpesh herë kishin në qendër të tyre Skëndërbeun dhe gjuhën shqipe”