Mbështet Albanian Daily

E përditshme, për të gjithë
BallinaKulturëFilmaFilmi dokumentar: Populli i Dantes së Porto Palermo-s”

Filmi dokumentar: Populli i Dantes së Porto Palermo-s”

Më së fundi një film për atë çfarë ka ndodhur në kalanë e Porto Palermos, kalanë e dhimbjes ku siç kisha shkruar në skenarin për këtë film, aty kishte jetuar “populli i Dantes”. Eshtë interesant se pas librit “Epistolari i Zaratës”, i botuar dhe në anglisht, frëngjisht, italisht e greqisht, mbi të burgosurit e ishullit të Zvernecit në epokën totalitare, me historinë e Mark Ndojës që përkthente aty “Ferrin” e Dantes, si dhe botimit të vëllimit poetik “Porto Palermo – fjalët e gurrit dhe të dhimbjes”, analogjia ishte e dukshme, përafërsitë drithëruese, po kështu të njëjta dhe fatet njerëzore.

Që pas librit të parë, Dantja jetoi tek unë për një kohë të gjatë. Flija dhe flisja me Danten. Botiçeli, Jordano dhe qindra piktorë të tjerë të mëdhenj më tregonin tablotë e tyre për botën e ferrit. Ishte tronditëse të jetoje me Danten por dhe diçka e magjishme, supernatyrale. Lexoja Danten, e rilexoja në frëngjisht dhe italisht, lexoja admirimin e dishepujve të mëdhenj të letërsisë mbi të dhe pyesja veten: sa shumë e kanë përjetuar Danten ? Hygo shkruante për influencën e Dantes, Rodin krijonte Portën e Ferrit, të tjerë i referoheshin Dantes gjithnjë nëpër shekuj, nëpër kohra, gjer në kohët moderne. Dante ka qëndruar gjithnjë aty. Bota letrare e artistike duket sikur i ka arhdur gjithnjë rrotull. Sa herë shkoj në Firence, vizita e parë do jetë gjithnjë në shtëpinë e Dantes. Shihja si në ëndërr Danten dhe Virgjilin që përshkonin udhëtimin e tyre nëpër rrathët e ferrit për të dalë më së fundi në dritën e Purgatorit. Pra Epostolari i Zaratës dhe Porto Palermo, dy histori të ngjashme, me të njëjtën dhimbje, klithje, shpresë, ëndërr.

Filmi i Dionis Papadhimitrit me kamaran e atit të tij, mikut tim Spartak, mi risolli emocionet që kisha përjetuar me Epistolarin, ma risolli bukur popullin e Dantes, përmes asaj bote që merrte frymë në ato katakombe ku ishin mbyllur. Nën ato harqe dhe hije ishte « rrethi » i të handakosurve, por i një lloji tjetër, i atyre që kërkonin të drejtën, lirinë. Shumë nga personazhet për të cilët flitet ishin të njohur për mua. Disa prej tyre janë të shpërndarë jashtë Shqipërisë, në Gjermani, Amerikë, Itali, Zvicër, Greqi, etj. Njihja plagët e tyre. Por kujtesa ishte po ajo. Kujtesa nuk ishte shuar. Një kujtesë e çmuar, e dëshiruar, si ajo rreze okër e diellit që arrinte të depërtonte nga vrimat e kalasë gjer thellë në katakombet e kalasë.

Filmi m’i risolli përsëri ato fate. Secili nga ata njerëz ishte një histori, një dashuri, një dramë tronditëse apo një tragjedi klithëse, me shijen e hirit dhe të zjarrit. Sipër, nga lart, nga ato vrima ajrore, ata i ngjanin një turme amorfe të harruar nga bota, nga Hyjnitë e tyre, pasi asnjë Zot s’kishte ç’bënte më për ta. I vetmi shpëtim ishte ai i revoltës, i një revolte jashtë këtyre mureve… Po, një turmë, që zgjohej në një ag që nuk ishte ag, por vazhdim i natës, i errësirës, një turmë që mërmëriste me vete, që vinte rrotull e pastaj e trishtë, e lodhur, platitej e strukej në skutat e galerive errta… Në thellësi të katakombeve shihen hije, pa mundur të dallohen qartazi… hije në “Ferrin” e Dantes”. Ata dergjeshin aty jo thjesht nga lodhja, por nga dëshpërimi i madh, ku secili kërkonte një portë shpëtimi, por si? Dhe atëherë ata mendonin të shkuarën, donin t’i shpëtonin realitetit ku jetonin dhe merrnin ende frymë. Atëherë ata jetonin me imazhet e së kaluarës, me lumturitë e heshtura, shtegtimet, apo hedhjen e themeleve të reja, me festat e korrjeve, qethjen e bagëtive, apo festimet e ditës së pranverës. Kujtonin… Veç kujtesa u kishte mbetur në këtë “planet” të panjohur të botës. Kujtesa nuk ishte shuar: “Janar 1950, 98 burra, 64 gra, 36 fëmijë; maj 1950, 91 burra; tetor 1950, 140 burra… Për kjo do të vazhdonte të rritej me kalimin e viteve, gjer në vitin 1959, vit i mbylljes së kampit këtu në Porto Palermo”

Ky film është një rikthim në ndërgjegjen tonë humane, është një përjetim historik që duhet ti flasë së ardhmes. Imagjinoj gjithnjë ato katakombe, ku në një spektakël teatral, ndoshta të ardhmë, bazuar mbi poezitë e Porto Palermo-s, aktorë të ndryshëm dhe zëra fëmijësh, burrash, grash, nënash, të recitonin në gjysmë errësirë, zërat e atyre që dikur kanë jetuar botën e ferrit.

Tashmë nuk na mbetet tjetër, veçse ta shohim këtë film në ekranin e kinemasë, këtë film të realizuar me shumë dashuri nga një ekip i mrekullueshëm që kanë ditur vërtet të na emocionojnë!

- Reklame -
Google search engine

Most Popular

Related stories