Mbështet Albanian Daily

E përditshme, për të gjithë
BallinaOpinionAmerika që nuk njohim !

Amerika që nuk njohim !

Miq që harxhoni energji mendore në panele televizive duke shpjeguar “Amerikën”, vërejeni mirë këtë fotografi

Personi është një Martial Simon, i cili në 15 janar të këtij viti, në orën 9:37 të mëngjesit shtyu dhe hodhi në shinat e metrosë, në NYC, një grua të re, Michelle Alyssa Go në stacionin e Times Square – gruan e goditi treni dhe vdiq në çast.

Martial Simon nuk e njihte viktimën e vet.

Kish ardhur në NYC si imigrant nga Haiti, në moshën 13 vjeç; dhe filloi të shfaqte simptoma të skizofrenisë kur po hynte në të 30-tat.

I vërdallosur me dekada në metropol, ish shtruar në spital së paku 20 herë, dhe po kaq herë ishte liruar.

Nuk dha asnjë shpjegim për vrasjen e Michelle-s. Gjyqi e nxori të papërgjegjshëm dhe vendosi që t’ia kalojë një institucioni psikiatrik.

Për mua që jetoj në NYC, në vend të Michelle-s mund të kish qenë partnerja ime, motra ime, vajza ime ose mbesa ime. Ose një kolege, një fqinjë, arkëtarja te supermarketi ku blej ushqimet. Ose edhe unë vetë, xhanëm.

Kur gjendem në korridoret e nëndheshme të stacionit të madh të metrosë në Barclay Center në Brooklyn, më duket sikur në çdo cep shoh nga një Simon Martial, duke folur me vete.

Ka me mijëra e mijëra të pastrehë që qarkullojnë në xhunglën e NYC, shumica me probleme mendore. Askush nuk kujdeset për shëndetin dhe mirëqenien e tyre; e shumta u japin ndonjë supë në ndonjë qendër komunitare.

Këta të pastrehë, që shpesh i lajmëron era e rëndë si e kafazit të ariut në zoo, i gjen në stacione transiti, në vagona të metrosë (duke fjetur), në stolat e parqeve, në trotuare duke tërhequr zvarrë karrocat e tyre me “plaçka” dhe kudo gjetiu ku ka hapësirë publike.

Autoritetet e qytetit i kanë braktisur krejt – ato pak spitale psikiatrike që i kanë mbetur qytetit, i nxjerrin pa i stabilizuar dhe këta përfundojnë në sallat e urgjencave. Policia shpesh ka frikë edhe t’u afrohet, se mos i “keqtrajtojë”.

Kostot e mbajtjes së tyre në spitale a në qendra shëndetësore janë aq të larta (lexo: të fryra), sa administratorët e kanë tashmë përparësi që t’i hedhin menjëherë në rrugë. Këta administratorë – për t’u shënuar – nuk e marrin asnjëherë metronë.

Kryetari i Bashkisë i NYC, Eric Adams, e ka pranuar vetë, tani së fundi, se përdoruesit e sistemit të metrosë, në NYC, ndihen të pasigurt. Kur presin trenin në platformë, në çdo moment mund t’u turret një Simon Martial dhe t’i hedhë në gropën e binarëve.

Prandaj, miq bashkatdhetarë, kur vizitoni NYC mos u dalldisni shumë pas xhixhave të Broadway-t; dhe kur të vini në Times Square dhe bëni të merrni atje metronë, kontrolloni mirë se kush po e pret me ju trenin në platformë.

Çmimi i një bilete të thjeshtë metroje është 2.75 USD. Por u kushton më lirë atyre që nuk e paguajnë.

NYC numëron rreth 36,000 oficerë policie.

Shënim1: lutem mos lini komente raciste, sepse do të fshihen menjëherë.

Shënim 2: Titulli është redaksional.

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Related stories