Prokuroria Vlorë njoftoi të premten sekuestrimin e një godinë banimi 8-katëshe plus një kat nëntokë, pas dyshimeve të ngritura se prona u përfitua mbi një dokument të falsifikuar të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të vitit 1986.
Sipas një njoftimi të shpërndarë për mediat nga prokuroria godina në fjalë është ngritur mbi tokën e përfituar nga Hito Muskaj dhe Viktor Muskaj. Prokuroria thotë se kishte dyshime se një dokument i të ashtuquajturit Komitet Ekzekutiv, një institucion i kohës së komunizmit, për të miratuar një leje meremetimi ishte falsifikuar.
Sipas prokurorisë dokumenti i vitit 1986 ishte përdorur nga të dyshuarit për të marrë në pronësi tokën, mbi të cilën është marrë një leje ndërtimi dhe lidhur edhe një kontratë me një kompani ndërtimi. Personat e përfshirë akuzohen për veprat penale të “Falsifikimit të dokumentave”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Prokuroria thotë se dy të dyshuarit u kallëzuan nga një i afërm i tyre, i cili pretendon se një godinë në pronësi të tij u shkatërrua gjatë ndërhyrjes për të ndërtuar pallatin dhe se një pjesë e truallit është në pronësi të shtetit. “Leja e ndërtimit dhe e zhvillimit për objektin, e nxjerrë mbi bazën e një dokumenti pronësie trualli të përftuar nga dokumente të falsifikuar, nuk duhet të ishte lëshuar, pasi një pjesë e truallit në fakt është në pronësi ”shtet””, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Ndërsa dy të dyshuarit nuk ishin të arritshëm për koment, pronari i kompanisë që po ndërton objektin Bektash Petroshati tha se gjykata nuk kishte dëgjuar versionin e tyre. Ai tha se punimet në pallat nuk kishin lidhje me hetimet mbi truallin dhe se vendimi i gjykatës vinte në vështirësi kompaninë, punëtorët dhe po ashtu edhe persona që tashmë kishin lidhur kontrata porosie për mjediset e godinës që sipas tij ishte shitur e gjitha. “Për mendimin tim vendimi që ka marrë gjyqtarja është i padrejtë, ka të bëjë me pronarët e tokës”, tha ai. Petroshati këmbënguli se kishte dëgjuar për konfliktet mbi truallin, por se personat me të cilët kishte lidhur marrëveshje kishin këmbëngulur se dokumentet ishin të sakta.