Mallra kontrabandë, makineri dhe pajisje për prodhimin e kriptovalutave, 55 mijë € si dhe 5 kg marijuanë u sekuestruan nga policia e Kosovës gjatë aksionit të të enjtes së 7 korrikut në komunën e Shterpcës. Detajet e operacionit i bëri të ditura ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla pak orë pas aksionit të kryer nga policia.
Ministri Sveçla dha detaje për sekuestrimin e kamerave të paligjshme në Komunën e Shtërpcës, shkruan Zeri.info.
“Dogana e Kosovës bashkë me njësitet policore kufitare po ashtu sot kanë konfiskuar mbi 6 ton mallra të kontrabanduara nga Serbia. Njësitet policore të antidrogës kanë përfunduar me sukses operacionin në Ivajë të Kaçanikut me ç’rast janë konfiskuar mbi 5 kilogramë marihuanë dhe pajisje për mbjelljen dhe kultivimin e substancës narkotike”, shkroi ai.
Ai më tej tha se po ashtu në Zveçan, policia konfiskuar pajisje për prodhimin e kriptovalutave në vlerë prej 55 mijë euro dhe substancë narkotike të llojit marihuanë, shkruan Zëri.info
“Lufta jonë ndaj ilegaliteteve që cënojnë jetën e qytetarëve tanë nuk ka alternativë. Dita e sotme shënohet me plot suksese në zbatimin e ligjit dhe me plot dëshpërim për shkelësit e tij”, shkroi Sveçla në hapësirën e tij zyrtare në rrjetin social në Facebook.