Mbështet Albanian Daily

E përditshme, për të gjithë
BallinaSportFutbollDritan Baholli: Zbatimi i metodave shkencore në përgatitjen atletike në Shqipëri i...

Dritan Baholli: Zbatimi i metodave shkencore në përgatitjen atletike në Shqipëri i pamundur. Mungojnë strukturat e posaçme

Austria u eliminua prej Uellsit në fazën “play-off” të eliminatoreve të Botërorit, duke mos e përmbushur dot objektivin madhor të kualifikimit. Por është fakt se futbolli austriak ka bërë përparime, e në këtë progres ka rol të rëndësishëm edhe një shqiptar, përgatitësi atletik dhe për disa vite kryedrejtues i skuadrave të moshave të Austrisë, Dritan Baholli, aktualisht lektor në Universitetin e Sporteve në Vjenë. Duket e pabesueshme se si futbolli shqiptar nuk ka mundur të përfitojë nga studimet, dijet dhe strategjitë e futbollit austriak, kur aty ka një shqiptar. Sot futbolli është zhvilluar aq shumë në aspektin e përgatitjes fizike, sa në lojë kanë hyrë universitetet e sporteve me studime konkrete, duke bashkëpunuar edhe me mjekësinë. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, Baholli tregon se si në Universitetin e Sportit, diplomat “Master” seleksionohen nga afro 200 studentë për të zgjedhur studimet më të arrira, por edhe angazhimin e një trupe me lojtarë elitarë që kanë luajtur në Premier League, bazuar në një strategji 10-vjeçare në zhvillimin e futbollit austriak. Po në Shqipëri çfarë bëhet në këtë drejtim?

Kush është Dritan Baholli?

Datëlindja: 23.07.1974

Vendlindja: Tiranë

Diplomuar: Universiteti i Vjenës

Kualifikuar: Shkencat Sportive në Universitetin e Vjenës

Klubi i origjinës: SK Tirana

Arritje si sportist: Kampion me Tiranën (1995), fitues i Kupës së Shqipërisë (po me Tiranën, 1994), futbollist i Partizanit (1996). Kapiten i skuadrave kombëtare U18 dhe U19, si dhe Olimpikes (1997). Ka luajtur 3 ndeshje me ekipin kombëtar A (kundër Bosnjës, Kroacisë dhe Gjeorgjisë).

Pozicioni: Lektor në Universitetin e Sporteve në Vjenë, si dhe ish-Shef i përgatitjes fizike të ekipeve të moshave në Austri.

Kualifikime dhe arritje: Pjesëmarrës në dhjetëra konferenca shkencore, trajnime e specializime si preparator atletik, duke bashkëpunuar me emra të mëdhenj të futbollit botëror në top-ligat europiane si në Itali, Spanjë, Angli, Francë, e shumë vende të tjera.

Gjendja civile: I martuar, ka dy fëmijë.

– Austria humbi përballë Uellsit dhe ndodhën ndryshime. Ju jeni pjesë e një grupi të përzgjedhur për të bërë strukturën e re, çfarë ka ndodhur konkretisht?

Natyrisht që priteshin ndryshime, sepse tani do të nisë një cikël i ri. Trajneri u tërhoq dhe në Austri po shtrohet domosdoshmëria e një strukture të re. Është hartuar një grup, unë jam pjesë e tij. Ne si universitet i sporteve në Vjenë, patëm një kontakt me ministrin e sportit dhe kjo ndodhi në kohën e duhur. Janë shumë lojtarë që do të futen në projektin e vazhdimësisë. Janë lojtarë që luajnë e kanë luajtur në Premier League. Të gjithë i mëshojnë ristrukturimit, pra kapërcimin në një shkallë më lart.

– Pse lindi ideja e një ristrukturimi dhe a nuk janë marrë propozimet tuaja parasysh?

 E përsëris, po kalojmë në një fazë tjetër, më të avancuar, ku futbolli austriak të jetë jo vetëm produktiv, por edhe rivalizues me vendet me futboll më të fuqishëm në Europë. Me propozimet e mia unë kam qenë i qartë se Austria duhet të prodhojë tani e tutje lojtarë që kushtojnë mbi 20 mln euro, pra të ketë lojtarë që kapërcejnë në treg këto shifra, sepse ne po e shohim përditë që nga vendet e tjera po dalin lojtarë që kushtojnë mbi 50 apo 70 mln euro.

– Pse keni përfshirë lojtarët në projektin tuaj dhe si e pse e keni futur si projekt universitar?

Përfshirja e lojtarëve që kanë luajtur në Premier League ka domethënien e saj. Kam qenë unë ai që ka insistuar për përfshirjen e tyre në projekt, si ekspertë. Në universitet kemi shpalosur këtë në formë projekti, me studime në nivel masteri. Kërkohet formimi i një baterie testesh dhe në Austri dy diploma në vit do të përzgjidhen për këtë projekt, pra për “Outperform”. Ky është niveli më i lartë i përgatitjes. Do të jenë 150-200 studentë që përgatiten për këtë temë, por nga këta vetëm dy diploma do të shkojnë enkas në funksion të projektit, pra si studime më të arrira në fushën e përgatitjes fizike.

– Si qëndron Austria në raport me vendet e tjera europiane në lidhje me përgatitjen fizike?

Në kuadër të përgatitjes fizike, Austria është nga vendet më të mira. Ajo e bën diferencën sidomos në sportin e skive dhe në grupmoshat e futbollit.

– Ju po flisnit për një projekt afatgjatë në sofistikimin e testeve apo më saktë në përgatitjen fizike të avancuar. Sa do të jetë e zbatueshme kjo në nivel klubesh apo konkretisht në strukturën e re përgatitore?

Ky është një projekt gjigant 10-vjeçar, e jo rastësisht ishim me takim në ministri. Projekti parashikon që lojtarët e ekselencës që luajnë në Premier League, do të ftohen në auditore. Unë vetë kam bërë disa ndryshime. Në këtë projekt ne ftuam edhe drejtorët sportivë të klubeve, që efikasiteti të jetë sa më i shtrirë, pra gjithëpërfshirës. Unë personalisht do të tërhiqem tashmë nga ekipet kombëtare austriake të moshave, për t’iu përkushtuar auditorit. Por zëvendësimi do të ndodhë me lojtarë të ekipit kombëtar, sepse projekti i prezantuar është fryt i punës shkencore të shumë autorëve.

– Duket e pabesueshme që përvoja juaj nuk po ftohet në Shqipëri. A mund të zbatohet projekti juaj në futbollin shqiptar?

Nuk kam pasur shumë kontakte, por ka njerëz të mirë që interesohen. Më ka kontaktuar Sulejman Mema, për të cilin kam konsideratë. Më pyeti si mund t’i ndihmoj. Por duhet të kemi parasysh që Shqipëria duhet të ndërtojë fillimisht strukturën funksionale. Nuk mund të zbatohen një projekt i avancuar i përgatitjes atletike në një strukturë që funksionon me metodat e dekadave më parë. Në Shqipëri seleksionimi i elementëve bëhet akoma me metodat e 60 apo 70 vjetëve më parë, ku “x” trajner i thotë një tekniku tjetër në ekipin e moshave “merre këtë se është lojtar i mirë”. Kjo është për keqardhje. Nuk e di sa të informuar janë por në ndeshjen Atletiko-Junajtid e luajtur në Madrid u bënë 2 mijë metra sprint për lojtar, e ky përbën një aplikim ekzemplar të testeve përgatitore. Më parë testet parashikonin 1 mijë metra sprint, por shifra e re e regjistruar tashmë është një vlerë statistikore gati e pabesueshme, një shifër shumë e lartë që vë në punë shkencëtarët, sepse përgatitja fizike po kap nivele të reja, të paimagjinueshme më parë.

– A mund të maten në Shqipëri këto të dhëna?

Shqipëria në këtë moment e ka të pamundur, mendoj unë, të bëjë vlerësime të këtij niveli. Madje, për të ardhur keq është, Shqipëria s’ka fare të dhëna. Nëpër botë në ekipet kombëtare të dhënat rreth përgatitjes fizike janë parësore, kanë rëndësi të madhe. Në “Football Observatory”, ose CIES, Shqipëria nuk ekziston, as me moshat. Kjo nuk është gjë pozitive. Në futboll, e specifikisht në përgatitjen atletike, një nga gjërat e rëndësishme është kontrolli, po çfarë do t’i kontrollosh Shqipërisë? Sepse ajo nuk është në sistemin e një database kaq të rëndësishme. Sot nëpër botë po zhvillohen teste të fuqishme përgatitore e siç thamë Shqipëria nuk e ka infrastrukturën funksionale për t’i zbatuar ata.

– Ju përmendët pak më lart në projektin tuaj përfshirjen e studentëve. Kjo ngjan absurde në Shqipëri, një përvojë e hidhur që thuajse e kemi kaluar të gjithë, ku temat e diplomave bëhen sa për të justifikuar marrjen e diplomës e jo për t’u vlerësuar në nivel akademik. ?farë keni bërë ndryshe atje?

Po patjetër, studentët përfshihen në projekt sepse studentët orientohen në brendi të çështjes. Ata sjellin risi me studimet e tyre dhe në këtë mënyrë edhe prurjet janë të rëndësishme. Madje, ky është çelësi i këtij projekti, sepse studimet dhe trajtesat kalojnë (seleksionohen) në rrugë akademike, pra nëpërmjet auditoreve, ku serioziteti është shumë i lartë. Avantazhi ynë është se niveli akademik është i mirë dhe kjo i jep projektit bazë të shëndoshë për vazhdimësinë.

- Reklame -
Google search engine

Most Popular

Related stories