“Trenat e humbur” të Shqipërisë…..

Koha punoi për shqiptarët, por a punuan shqiptarët për veten e tyre?

0
380

“Trenat e humbur” të Shqipërisë…..Koha punoi për shqiptarët, por a punuan shqiptarët për veten e tyre?Ka të paktën 30 vjet që Shqipëria ndodhet në pluralizëm, në demokraci. Në një hark kohor të tillë ndoshta nuk mund të ndodhë gjithçka, por diçka mund të bëhej. A është bërë në Shqipëri diçka? Patjetër që po, shumë gjëra janë bërë dhe e vërteta është se shqiptarët në tërësi jetojnë më mirë se 30 vjet më parë, shumë më mirë. Ata janë të lirë, udhëtojnë jashtë vendit, zgjedhin ta ndërtojnë jetën e tyre atje ku duan. Po, po, shumë gjëra të mira kanë ndodhur. Ka ndodhur edhe pavarësia e Kosovës, gjë që unë kur isha fëmijë e kisha vështirë ta besoja, e ëndërroja por më dukej e vështirë, por koha punoi për shqiptarët. E pra, koha punoi për shqiptarët, por a punuan shqiptarët për veten e tyre?Në këta 30 vjet, shqiptarët plasën duke humbur “trenin”. Me këtë rast kujtojmë këtu rrëfimin ironik, që shpon muret, të Faik Konicës, kur thotë se shqiptarët kurrë se pranojnë që nuk dalin në orar për të kapur trenin, por mjaftohen me shprehjen “ah, na iku…”, duke mos pranuar fajin e tyre, një “sëmundje” e vjetër e jona.-Shqipëria nuk e kuptoi dot rëndësinë e madhe që ka popullsia e re dhe krahu i punës, duke e lënë atë rrugëve e në shërbim të vendeve të tjera. Shqipërisë i ka ikur popullata energjike, popullata e arsimuar, popullata riprodhuese, pra i ka ikur pjesa më e shëndetshme e saj. Me siguri që vitin tjetër shkollor do të kemi mijëra fëmijë më pak të regjistruar. Një tren i madh i humbur. -Jo vetëm kaq, Shqipëria bëri dhe bën shumë pak për ta mbajtur këtë popullatë të madhe në emigracion të lidhur me rrënjët, që shqiptarët e suksesshëm të kthehen, që kapitali shqiptar në botë të investohet në Shqipëri, që truri i dalë nga akademitë serioze dhe shkollat serioze në perëndim të viheshin në shërbim të vendit. Një tjetër tren që po humbet përditë.-Shqipëria nuk e kuptoi dot rëndësinë e saj gjeostrategjike e gjeopolitike në Mesdhe gjatë këtyre 30 viteve. Ajo nuk e kuptoi në këta 30 vjet se ka kyçin e Otrantos, se zotëron çelësat e brigjeve lindore të Adriatikut dhe të Jonit, se shqiptarët janë faktor rajonal e më gjerë në Europën Juglindore. Një tren që po e kapin të tjerët….-Shqipëria nuk e kuptoi rëndësinë e tokës së saj. Ajo ka fushën më të madhe të Ballkanit Perëndimor, e aftë të prodhojë minimalisht dy herë në vit. Ajo ka disa prej tokave më të begata në Mesdhe që prodhojnë pothuajse të gjitha varietetet bujqësore të mundshme. Fushat e saj po mbulohen nga ndërtimet, duke e bërë të papërdorshme dhe jo produktive. Një dëm kolosal për brezat që vijnë. Një tren i shkërmoqur dhe që nuk do të kapet lehtë.-Shqipëria e vogël ka një nëntokë mjaft të pasur. Por Shqipëria nuk e kuptoi dot rëndësinë e naftës në këta 30 vjet. Naftë prodhojmë por se dimë ku shkon. Minerale kemi e s’dimë të fitojmë prej tyre. Një tren 30-vjeçar i hedhur në ferra.-Shqipëria ka larmishmërinë më të madhe gjeomorfologjike në Ballkan. Kjo është padyshim pasuri fiziko-gjeografike që lidhet me shumë elementë. Një tren që fle gjumë…-Shqipëria ka klimën më të mirë në rajon, madje një profesor imi i Klimatologjisë e quan klimën pasuri kombëtare. Por as këtë tren se kemi kapur dot. Shumë vonë kemi nisur të mendojmë për energjinë solare, energjinë e erës etj. Një tren i vonuar, që po na ikën pa e kapur edhe atë.-Shqipëria ka ujë që e çon në det kot. Asnjë vend tjetër në planet nuk do ta linte këtë pasuri të keqpërdoret sikurse bëjmë ne. Ky shekull do të jetë luftë për ujin. Ne na e ka dhënë zoti, por edhe kur e përdorim duam shembullin e Skavicës që shkakton trauma njerëzore dhe përmbytje tokash pjellore. E çojmë ujin në det e nuk kemi menduar projekte serioze për popullatën, ujitjen, energjinë etj. Një tren që humbet përditë.-Shqipëria, për cilësitë e saj fiziko gjeografike, por edhe trashëgiminë historike, ka potencial zhvillimi të turizmit njëjtë me Greqinë, e ndoshta më shumë, por edhe këtë tren e kemi kapur për bishti e jo për koke. Bregdeti është kthyer në katrahurë nga ndërtimet kaotike, prona po bëhet problem për rendin dhe sigurinë, infrastruktura arna-arna lë për të dëshiruar. Shkurt një tren i kapur keq që mund të na flakë jashtë shinave.-Shqipëria nuk zuri mend nga lufta e Kosovës. Koha tregoi se vendi ka nevojë për ushtri, jo e madhe në numër, por mjaft e aftë profesionalisht dhe e mirëpajisur me fjalën e fundit të teknologjisë. Shyqyr që jemi në NATO, ndryshe, dyshoj se kemi aftësi të mbrojmë veten.-Shqipëria vinte nga sistemi i kaluar me një arsim bazë cilësor, që ta themi të vërtetën siç është, por edhe këtë tren që e kishim gati s’e ruajtëm dot, sot lëshohen copa kartoni me emrin “diplomë”, por arsimi është, në pikëpamjen time, tejet larg krashasuar me 30 vjet më parë. Një tren i kthyer mbrapsht.-Shqipëria dështoi me sukses të kishte një system gjyqësor efikas, gjë që po e shohim përditë. Është një tren që na mban në vendnumëro. Ja pra, sa shumë trena kemi humbur e humbasim përditë….!Pse shqiptarët nuk po i kapin “trenat” e kohës?Pse shqiptarët po e braktisin kaq lehtë vendin e tyre?Pse shqiptarët përballojnë çdo punë në vendet e tjera dhe e kunderta, kapardisen e s’bëjnë të njëjtën punë në vendin e tyre? Pse…?Koha punoi për shqiptarët, por a punuan shqiptarët për veten e tyre?A kanë kapur ata ndonjë “tren”? Po, kanë kapur trenin e partive, i cili deri tani ka treguar se është në rrugë qorre, me makinistë që s’e lëshojnë timonin deri sa ta çojnë trenin në humnerë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu