Mbështet Albanian Daily

E përditshme, për të gjithë
BallinaOpinionUkraina, Putin do të kërkojë një rrugë për të shpëtuar fytyrën

Ukraina, Putin do të kërkojë një rrugë për të shpëtuar fytyrën

Të gjitha luftërat mbarojnë një ditë. Shpeshherë, si më 1945, e vetmja rrugë është lufta deri në vdekje. Megjithatë, kryesisht luftërat përfundojnë me një marrëveshje që nuk kënaq askënd plotësisht, por të paktën i jep fund gjakderdhjes.

Dhe shpesh, edhe pas konflikteve më të hidhur, dy palët gradualisht rinisin marrëdhëniet e vjetra, më pak armiqësore.

Nëse kemi fat, do të shohim nisjen e këtij procesi tani midis Rusisë dhe Ukrainës. Irritimi, sidomos për palën ukrainase, do të zgjasë me dekada. Por të dyja palët duan dhe kanë nevojë për paqe: Ukraina sepse qytetet e saj janë dëmtuar tmerrësisht; dhe Rusia sepse tashmë, sipas presidentit ukrainas, ka sakrifikuar më tepër njerëz e materiale se në dy luftërat e përgjakshme në Çeçeni – megjithëse kjo është e pamundur të verifikohet.

Por askush nuk firmos me dëshirë një traktat paqeje që me shumë gjasa i çon drejt rënies.

Për President rus Vladimir Putin ka nisur kërkimi për të gjetur një rrugë që të shpëtojë fytyrën. Presidenti i Ukrainës Zelensky tashmë ka treguar aftësi të mëdha si diplomat dhe është dukshëm i gatshëm të thotë e bëjë çdo gjë të pranueshme për veten dhe popullin e tij me qëllim që të heqë qafe Rusinë nga vendi i tij.

Për të, ka një objektiv që iu paraprin të gjithëve – të sigurohet që Ukraina do të dalë nga kjo përvojë e tmerrshme një vend i bashkuar, i pavarur, jo një provincë e Rusisë, çka është ajo që me sa duket kishte ndërmend fillimisht Presidenti Putin.

Për Presidentin Putin gjithçka që ka rëndësi tani është që ai të shpallë fitoren. Nuk ka rëndësi që çdokush në gjithë administratën e tij do ta kuptojë që Rusia ka marrë një grusht turinjve në këtë pushtim të panevojshëm. S’ka rëndësi që 20% e rusëve që e kuptojnë se çfarë po ndodh vërtet në botë do ta dinë që Putin vuri bast shtëpinë për një fantazi të tijën dhe humbi.

Beteja do të jetë për përkrahjen e shumicës së mbetur të popullsisë, e cila beson atë çka i serviret në televizionin shtetëror – edhe kur ka momente si shfaqja në ekran e redaktores guximtare Marina Ovsjanikova me një pllakatë që thoshte se gjithçka që iu thuhet njerëzve është propagandë.

Atëherë, çfarë do ta bëjë Presidentin Putin të dalë nga kjo luftë katastrofike me imazh pozitiv në sytë e shumicës së Rusisë?

Së pari, siguria, ndoshta edhe e shkruar në Kushtetutën e Ukrainës se nuk ka ndërmend të hyjë në NATO në të ardhmen e afërt. Presidenti Zelenski e ka përgatitur terrenin tashmë për këtë, duke i kërkuar NATO-s diçka për të cilën nuk mund të binte dakord (vendosja e një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainë), pastaj duke e kritikuar aleancën që e la vetëm, dhe në fund duke u shprehur se nuk ishte i sigurt që, nëse NATO sillej kështu, do t’ia vlente vërtet të anëtarësohej.

Më mirë se kaq nuk mund të bëhet. NATO merr fajin, me të cilin mund të jetojë pa e pasur problem, ndërsa Ukraina merr lirinë për të vepruar siç dëshiron.

Por kjo është pjesa e lehtë. Do të jetë më e vështirë për të realizuar ambicien urgjente që Zelenski dhe Ukraina kanë për të hyrë në BE, diçka për të cilën Rusia është po aq armiqësore sa për anëtarësimin në NATO, ndonëse mund të gjenden rrugë edhe për këtë. Më e vështira për t’u gëlltitur nga ana e Ukrainës do të jetë rrëmbimi i territorit të saj nga Rusia, duke sfiduar plotësisht traktatin solemn ndërkombëtar që ka nënshkruar për mbrojtjen e kufijve të Ukrainës.

Humbja e Krimesë më 2014 është diçka që Ukraina mund të detyrohet ta pranojë formalisht, në një farë mënyre. Dhe Rusia synon qartësisht të qëndrojë në ato zona në Ukrainën lindore të cilat janë efektivisht nën kontrollin rus tashmë – e ndoshta edhe më tepër.

Më 1939, Stalin sulmoi Finlandën, e cila dikur kishte qenë pjesë e perandorisë ruse. Ai ishte i sigurt që trupat e tij do të çanin përmes vendin për pak kohë, ashtu siç mendonte Putin për Ukrainën më 2022. Gjeneralët e Stalinit, të frikësuar për jetën, e siguruan që ai kishte të drejtë. Dhe sigurisht që nuk kishte.

Lufta e Dimrit vazhdoi deri më 1940, ushtria sovjetike u poshtërua dhe Finlanda mbeti me një krenari kombëtare të justifikueshme që i kishte rezistuar një superfuqie. Humbi territor, sepse autokratë si Stalini dhe Putin kanë nevojë të dalin nga këto gjëra me imazhin sikur kanë arritur fitore. Por Finlanda mbajti gjënë më të rëndësishme, pavarësinë e plot si vend i lirë e vetëvendosës.

Kështu siç janë gjërat sot, Ukraina – që ka thyer kaq shumë sulme ruse dhe i ka bërë forcat e Putinit të duken të brishta dhe joefektive – duhet të jetë në gjendje ta bëjë. Nëse ushtritë e Putinit nuk kapin Kievin dhe një pjesë të madhe të territorit ukrainas, atëherë Ukraina do të mbijetojë si tërësi kombëtare, ashtu si Finlanda më 1940.

Humbja e Krimesë dhe pjesë të Ukrainës lindore do të ishte humbje e hidhur, e paligjshme dhe totalisht e padrejtë. Por Vladimir Putin duhet të nisë të përdorë armë shumë më serioze nga sa ka përdorur deri tani nëse do të dalë fitimtar. Në stadin aktual të gjërave, në javën e tretë të luftimeve, askush nuk mund ta vërë seriozisht në dyshim se cili do të jetë fituesi real i kësaj lufte.

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Related stories