Një gazetar amerikan u vra në Irpin këtë të dielë me 13 mars gjatë luftimeve të forcave pushtuese ruse me ato ukrainase. Një gazetar tjetër u plagos rëndë, ndërsa nuk dihet ende emri i tij. Brent Reno (Brend Renaud), fotograf dhe kameraman, u qëllua me armë zjarri gjatë luftimeve të ashpra që po zhvillohen në Irpin. Lajmi u konfirmua nga Agjencia Franceze e Lajmeve AFP. Zv/kryeredaktori i Nju Jork Tajms (Neë York Times) Klif Levi (Cliff Levy) shprehu pikëllimin e tij në një postim në Twitter për vrasjen e Brend Renos. Për vite me rradhë Reno kishte bashkëpunuar me Nju Jork Tajms për një kohë të gjatë. Aktualisht Reno ishte angazhuar si gazetar i lirë.
“Nju Jork Tajms ndihet thellësisht i hidhëruar, pas mësimit të lajmit për vrasjen e gazetarit amerikan Brent Reno në Ukrainë. Brent ishte një fotograf dhe kameraman i talentuar, por nuk ishte kontraktuar nga Nju Jork Tajms për luftën në Ukrainë, tha ai Levi.
Në një tjetër postim të mëparshëm ai shkroi:
Vdekja e Brent është një humbje e tmerrshme. Një gazetar i shkëlqyer si Brent mori rrezikun për të dëshmuar botës mbi shkatërrimin e shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë.
Brent Reno bëhet gazetari i parë perëndimor i vrarë nga pushtimi rus në Ukrainë deri mê tani.
Mediat ukrainase cituan shefin e policisë së rajonit të Kievit, Andrei Nebitov: “Okupatorët po vrasin në mënyrë cinike edhe gazetarë të mediave ndërkombëtare që po përpiqen të tregojnë të vërtetën për mizoritë e trupave ruse në Ukrainë.”