Mbështet Albanian Daily

E përditshme, për të gjithë
BallinaOpinionPutin ka fiksim fatin e Gaddafit, ja se si mund të përmbyset

Putin ka fiksim fatin e Gaddafit, ja se si mund të përmbyset

Ata që e njohin Vladimir Putinin thonë se atij i ka mbetur fiksim një skenë veçanërisht makabre nga historia e vonë botërore.

Në tetor 2011, figura e gjakosur e diktatorit libian Muammar Gaddafi u tërhoq zvarrë nga kanali ku ishte fshehur si mi gjatë ditëve të fundit të luftës civile në vendin e tij.

Gaddafi u lut për jetën para se të vritej brutalisht me bajonetë e më pas me plumba, një rënie poshtëruese nga pompoziteti i mëparshëm.

Putin e di edhe që cari i fundit i Rusisë dhe familja e tij u vranë si qenë nga revolucionarët bolshevikë më 1917.

Nuk është për t’u habitur që atij i kanë mbetur fiksim pamjet e fundit të Gaddafit dhe mund të ketë plotësisht arsye që t’i druhet një fundi të tillë edhe për veten nëse lufta e tij në Ukrainë sjell vuajtje e trazira në Rusi.

Teksa agresioni monstruoz i Putinit në Ukrainë ka ngecur, disa pyesin: a mundet që batica të kthehet tani kundër njeriut që sundoi Rusinë me një mënyrë apo një tjetër për 22 vjet?

Duket fantazi.

Putin jeton në një flluskë sigurie të lartë, në të cilën vizitorët e takojnë vetëm pas një mbikëqyrjeje të tepruar.

Paranoja e tij shihe edhe në tavolinën e gjatë komike në të cilën priti presidentin francez Emmanuel Macron.

Lëvizjet e tij midis vilës në periferi dhe Kremlinit bëhen në rrugë të qëruara nga trafiku dhe patrullohen nga snajperë.

Një aparat i madh sigurie i dedikohet sigurisë personale, përfshirë njësi ushtarake në gatishmëri 24-orëshe dhe një rrjet të pavarur spiunësh me fuqi të plotë për të ndjekur e përgjuar sipas dëshirës.

E megjithatë, për herë të parë në shumë vite, rusët befas po provojnë dhimbje të forta ekonomike. Teksa sanksionet kafshojnë, rubla është në rënie të lirë.

Bankomatet po zbrazen, dollarët po mbarojnë dhe inflacioni po kap qiejt.

Shtoni këtu edhe pesë mijë rusët e vrarë në sulmin në Ukrainë vetëm në pak ditë – pa llogaritur robërit e të plagosurit – dhe dora e fortë e Putinit mbi pushtetin shpejt mund të nisë të dridhet.

Atëherë, a është e mundur ta përmbysin?

Imagjinoni, për shembull, që në Moskë në javët e ardhshme nis një protestë e heshtur e Nënave të Ushtarëve, një lëvizje e themeluar më 1989 për të bërë fushatë kundër trajtimit brutal të rekrutëve.

Këto protesta shpejt përhapen në qytete të tjera.

Taktika e dorës së rëndë çon në gjakderdhje dhe në gjithë Rusinë përhapen fotot e një gjysheje të rrahur e të gjakosur nga policia.

Teksa indinjata rritet, rritet edhe numri i protestuesve – dhe një shef policie, babai i një ushtari adoleshent të vrarë në Ukrainë, sfidon urdhrat, heq helmetën e policit dhe iu bashkohet protestuesve, duke mbajtur edhe një fjalim plot pasion që gjithashtu bëhet viral në median sociale.

Edhe liderët rajonalë – guvernatorë e kryebashkiakë – nisin të ndryshojnë anë. Në Moskë, turmat mblidhen në Sheshin e Kuqe, ku brenda Kremlinit, Putin – në ankth për të mos pasur fatin e Gaddafit – hipën në një helikopter që e çon në një azil të vetmuar, fillimisht në Bjellorusi e më vonë ndoshta në Kinë.

Ose ndoshta mund të mos jetë sulmi i turmës në portat e pallatit që i jep fund sundimit të Putinit. Mund të ndodhë që ai të përballet me një puç nga brenda regjimit.

Nëse opinioni publik shkon kundër diktatorit, shumë nga njerëzit e tij nuk do të ngurronin ta hiqnin nga posti apo ta vrisnin për të shpëtuar kokën e tyre.

Komandantët ushtarakë, të tërbuar nga tundja e tokës nën këmbë në Ukrainë, totalisht vepër e Putinit – dhe të neveritur nga taktikat brutale që iu janë imponuar prej tij për t’i përdorur kundër sllavëve ukrainas – mund të rebelohen.

Njësi të tjera të ushtrisë, të urdhëruara të shtypin rebelimin, mund të bëjnë të kundërtën e i bashkohen atij.

Nëse ndodh, Putin është i mbaruar.

Truprojat elitë mund ta mbrojnë nga vrasës e terroristë, por jo nga tanket.

Ndërkaq, figurat pa fytyrë në agjencitë e sigurisë, të gjitha të vetëdijshme që vendi po përballet me shpërbërjen, mund të shfrytëzojnë njohurit e tyre për larguar truprojat e presidentit dhe ta arrestojnë.

Nëse asnjë nga këto dy skenarë nuk ndodh, mund të ngrenë kokë skenarët e vjetër shekullorë.

Në provincat lindore të Siberisë, Kabarovskit dhe Territorit Detar, njerëzit janë thellësisht kundër zhytjes së Kremlinit në pasuritë e tyre natyrore.

Tatarët dhe bashkirët, popuj etnikë që jetojnë në Rusinë qendrore, ende e kujtojnë momentin e shumëpritur të pavarësisë pas revolucionit rus më 1917.

Ata dhe subjekte të tjerë e përbuzin shtypjen e Moskës kundër gjuhës dhe kulturës së tyre; shumë nuk e mendojnë aspak veten si rusë.

Në rrethanat e duhur, këto tensione etnike mund të vlojnë deri në pikën e shpërthimit në dhunë të egër.

Në një luftë civile në shkallë të gjerë, gjithçka mund të ndodhë.

E megjithatë, çdo opozitë përballet me pengesa të jashtëzakonshme. Ushtria ruse dhe agjencitë e sigurisë munden dhe do ta hiqnin Putinin nëse do ta shihnin që duhej ta bënin. Dhe masa e rusëve të zakonshëm ka fuqi të madhe në numra.

Putin e di të gjithë këtë.

Iu uroj fat armiqve të tij, por edhe fundi i regjimit të tij do të kishte perspektiva shqetësuese.

Rënia e tij mund të precipitonte në një luftë të re civile në Rusi, e cila ende ka arsenalin më të madh të armëve bërthamore në botë.

Putini i zënë ngushtë mundet edhe të përgjigjet me gjithçka, duke menduar që edhe rreziku i apokalipsit bërthamor mbi botë do të ishte më i mirë për të se sa të vuante fatin e Gaddafit.

Edhe sikur ky skenar apokaliptik të shmangej, kushdo që mund të pasojë Putinin mund të mos jetë më i miqë se djalli që njohim.

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Related stories