Presidenti i Republikës Bajram Begaj caktoi 14 majin e vitit të ardhshëm si datën e zgjedhjeve vendore për bashkitë në vend. Lajmi u dha nga vetë Presidenti i Republiës në një postim të tij në rrjetet sociale.
Begaj e vlerësoi periudhën e zgjedhjeve locale si mjaft të rëndësishme, dyke cilësuar si një sfidë demokracie për institucionet, partitë politike dhe shoqërinë shqiptare. Presidenti Begaj kërkoi përkushtime forcave politike, dhe bashkëpunim instiutcional, për të treguar pjekuri politike dhe përgjegjshmëri qytetare.
Presidenti i Republikës kërkoi që zgjedhësit të mos shmangin detyrën e tyre qytetare për të ushtruar të drejtën e votës.
“Nxis të gjitha palët që të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë.
Ftoj votuesit të mos anashkalojnë detyrën qytetare të mirë-informimit mbi alternativat politike dhe ushtrimit të të drejtës së votës, të pandikuar nga interesa, që cënojnë votën dhe vullnetin e lirë”,- thuhet në deklaratën e kreut të shtetit, botuar në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale.
Postimi i plotë i Presidentit Begaj
Sot caktova 14 majin 2023 si datën e zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme vendore.
E vlerësoj periudhën deri në zgjedhje si shumë të rëndësishme për përmbylljen me sukses të kësaj sfide demokracie për institucionet, partitë politike dhe gjithë shoqërinë shqiptare dhe theksoj se është koha për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunim institucional, pjekuri politike dhe përgjegjshmëri qytetare.
Nxis të gjitha palët që të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë.
Ftoj votuesit të mos anashkalojnë detyrën qytetare të mirë-informimit mbi alternativat politike dhe ushtrimit të të drejtës së votës, të pandikuar nga interesa, që cënojnë votën dhe vullnetin e lirë.
Komisioni i Reformës Zgjedhore ka detyrimin të përshpejtojë punën dhe të adresojë në kohë të gjitha çështjet e dala nga rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it.