Një burrë i identifikuar nga policia e Tiranës si “Mysafiri”, u arrestua me akuzën e vjedhjes nëpërmejt mashtrimit të shumave të mëdha. Q.K, 30 vjeç banues në Kamenicë të Kosovës, u ndalua me iniciativë nga oficerët e hetmit të antikrimit ekonomik pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit, ka përfituar shumën 135 mijë euro nga një grua në Tiranë. E dëmtuara identiteti i së cilës nuk jepet kishte denoncuar se 30 vjeçari nga Kamenica i kishte propozuar të hapnin një biznes “Call Center” dhe për këtë shkak i duhej edhe shuma e mësipërme e parave për t’i investuar. Policia e Tiranës thotë se gjatë hetimit ka zbuluar se ky person ka mashtruar edhe persona të tjerë në territorin e Shqipërisë, duke iu marrë para në forma të tjera mashtruese. Ende nuk dihet shuma e saktë e përfituar nga ky person. Për këtë shkak hetuesit thonë se janë duke pritur denoncime edhe nga persona të tjerë të dëmtuar.