Mbështet Albanian Daily

E përditshme, për të gjithë
BallinaOpinionA do japë “pilula lumturie” qeveria?

A do japë “pilula lumturie” qeveria?

Në librin “Mendja e robëruar” nobelisti Çesllav Milosh rrëfen për librin e shkrimtarit dhe filozofit polak Stansilav Vitkieviç, “Pangopësia”, botuar në vitin 1932. Në këtë libër, heronjtë e Vitkieviçit janë njerëz fatkeq: ata nuk besojnë në asgjë dhe gjithçka që bëjnë u duket krejt e pakuptimtë. Ndërkohë, një atmosferë e tillë absurditeti dhe paralize ka pllakosur krejt vendin. Pikërisht në këtë kohë, nëpër qytete të ndryshme, të pushtuara nga kjo atmosferë absurde, shfaqen tregtarë shëtitës të shumtë, të cilët shesin fshehtazi pilulat Murti-Bing. Sipas tij, kushdo që i përdor ato pilula, transformohet – ai gjen qetësinë shpirtërore dhe lumturinë. Problemet që e shqetësonin më parë i duken papritmas gjëra të kota, të parëndësishme. Ai veç buzëqesh plot zemërgjerësi me ata që ende vazhdojnë e merren me të tilla probleme, sidomos ato pikëpyetje që kanë të bëjnë me vështirësitë e pakapërcyeshme të ontologjisë… Kushdo që gëlltit pilulat Murti-Bing, fiton imunitet ndaj çdo tundimi për vramendje metafizike. Kërkimet në fushën e mendimit dhe artit ai i shikon si budallallëqe… Një situatë e tillë, e parashikuar nga Vitkieviçi, duket se është e pranishme në shoqëritë e sotme shqiptare, ku shumë jetojnë përmes metodës së Murti-Bingut – me pilula lumturie ose indiference. Për këto lloj pilulash kontribuon direkt spektakli që zë vendin e çdo mënyre të menduari dhe të debatuari në shoqërinë tonë. Ndaj dhe shumë qytetarë, të ngërthyer me spektaklin e gjithanshëm, nuk denjonë të kalojnë kufirin e kërkesave dhe nevojave fiziologjike. Sepse Murti-Bing-u modern është ushqimi i përditshëm përmes propagandës, që krijon realitetin e ri, ku nuk është më e rëndësishme ajo që ti sheh, por është e rëndësishme ajo që të thonë se duhet të shohësh. Filozofi amerikan Noam Çomski thotë se beteja në këtë realitet nuk është më kërkimi i llogarive ndaj të zgjedhurve, ndaj drejtuesve lokalë apo qendrorë, por vetëfajësimi që qytetarët i bëjnë vetvetes për atë që nuk arritën dot. Pra, qytetarët vetëfajësohen se nuk ishin më të zotët të shfrytëzonin shansin që iu dha në punë, që iu dha përballë të tjerëve për të marrë gjithçka që u ka parë syri. Inkurajimi i injorancës për të mos u fshehur më, por të dalë lirisht për të konkurruar në çdo fushë mendimi apo vendimmarrje e bën të mundshme pilulën e Vitkieviçit në ditët e sotme. Kjo “pililë” e gjen forcën te largimi gjithnjë e më shumë i qytetarit nga të menduarit në mënyrë të pavarur e, sidomos nga të menduarit në mënyrë historike. Pilulat e komunikimit të sotëm janë për një mendim të shpejtë dhe pa fakte, pa përfillur të vërtetat historike, e aq më pak të vërtetat shpirtërore. Nga ana tjetër, gjithçka shoqërohet me idenë se rendi ku jetohet është një rend normal e nuk ka pse dikush të habitet me atë që ndodh me të dhe me miqtë e tij. Kështu që nuk ka pse të habitemi që nga idifrenca ndaj asaj që ndodh me jetët tona, me taksat tona, shumë shpejt mund të zëvendësohet me fenomenin që ndodhte në ish diktaturë ku qytetarët urdhëroheshin të paraqiteshin në publik si të lumtur”.Zhgënjimet në liri të njeriut të edukuar në diktaturë – ku ai urdhërohej për lirinë, sjelljen, gëzimin e mendimet që duhej të kishte janë kthyer në një magazinë dekurajimi gjatë gjithë këtyre viteve. Arti i fshehjes së ndjenjave, që dikur arrinte majat më të larta, ka trashëguar artin e përshtatjes së pafundme, duke udhëhequr njerëzit në një humbje të sensit të mendimit ndryshe, të humbjes së besimit se ballafaqimi është i shëndetshëm për të gjetur një rrugë sa më të mirë për veten dhe të tjerët.Qeveria dhe mosveprimi i pushtetit të drejtësisë ka inkurajuar futjen në një thes të të ndershmit dhe të pandershmit, të të drejtit dhe të padrejtit, me qëllim që urrejtja t’i përfshijë të gjithë. E përmes urrejtjes, mekanizmi i udhëheqjes bëhet më i lehtë, pasi admiruesit që ushqehen me urrejtje janë aplikuesit dhe mbështetësit e parë të dhunës.

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Related stories