Mbështet Albanian Daily

E përditshme, për të gjithë
BallinaLajmeÇmimi i naftës bie në 220 lekë pas protestave

Çmimi i naftës bie në 220 lekë pas protestave

Shqiptarët bllokuan rrugët dhe u konfrontuan me policinë në grupe të vogla por në protesta të shumta në të katër anët e vendit ndërsa çmimi i naftës në treg u ul dhe kryeministri u detyrua të premtojë ndërhyrje pas tensionit social në rritje.

“Situata e jashtëzakonshme imponon ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë të qeverisë për ngrirjen e marzheve të fitimit si edhe transparencën e çmimit,” deklaroi Rama ndërsa premtoi se do të ndërmarrë një Akt Normativ “brenda 24 orësh”. [Link] Rama pati larë duart vetëm tre ditë më parë kur deklaroi se qeveria nuk ndërhyn dot në këtë situatë dhe se çmimi i naftës është rezultat i situatës ndërkombëtare, pra jashtë dorës së qeverisë.

Rama duket se po përballet në fakt me çfarë ka gatuar tetë vjet më parë, kur sapo kishte ardhur në pushtet dhe kur rriti barrën fiskale të naftës me të ashtuquajturën “taksë qarkullimi” duke e rritur nga 7 në 27 lekë për litër. Rritja e kryer në dy lëvizje në vitet 2014 dhe 2015 nuk u ndje veçanërisht shumë në atë kohë për shkak se çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ishte shumë i ulët, në nivelin 30-50 USD për fuçi. Ndërsa çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar u rrit vitin e kaluar dhe këtë vit, taksat e Ramës mbi karburantet u ndjenë me të gjithë forcën e vet dhe e bënë Shqipërinë një vend me çmim nafte po aq të lartë sa edhe vendet më të pasura në Evropë si Gjermania apo Franca.

Por duket se taksat shtesë të naftës nuk reflektojnë të gjithë rritjen e çmimit. Për shembull, në vitin 2008, çmimet e naftës në tregun ndërkombëtar ishin rreth 100 USD për fuçi ndërsa çmimi në tregun shqiptar rrallëherë e kaloi nivelin 180 lekë për litër. Rritja e çmimit të naftës me 40-80 lekë më shumë këtë herë në kushtet kur çmimet në tregun ndërkombëtar janë pak a shumë njësoj sa ishin në vitin 2008, duket se nuk shpjegohet vetëm me rritjen e taksave mbi karburantet nga qeveria “Rama” por mund të tregojnë edhe një normë më të lartë fitimi për importuesit, një numër i vogël biznesesh që operojnë në një treg me konkurrencë të kufizuar në infrastrukturë, licenca apo leje ndërtimi, të cilat varen nga qeveria. Shumë qytetarë i shohin këto biznese si “oligarkë” dhe lidhjet aspak të fshehta të tyre me pushtetin si korruptive.

Përgjatë ditëve të fundit, konkurrenca e kufizuar në tregun hidrokarbur të vendit duket se u shfaq me rritje të menjëhershme dhe të njëtrajtshme të çmimeve nga 220 lekë për litër në fillim të javës në 290 lekë për litër për disa orë mbrëmjen e së mërkurës. U deshën 48 orë që çmimet të ktheheshin sërish në kuotën e fillimit të javës, ndërsa qytetarët në grupime të vogla protestuan në Tiranë, Durrës, Berat, Sarandë, Bulqizë, Shkodër, Lezhë dhe Lushnje.

Mëngjesin e së premtes, ndërsa Rama bëri ndërhyrjen e tij në Facebook, bllokime rrugësh nga grupe të ndryshme qytetarësh u shfaqën në shumë qytete të vendit.

Reagimi i Ramës parashikon një marzh fitimi të përcaktuar për kompanitë e karburanteve dhe një çmim fiks të shitjes, çmim që do të përcaktohet nga një bord. Rama premtoi gjithashtu transparencë në strukturën e çmimeve duke informuar qytetarët për strukturën e kostove të furnizimit me karburant.

“Kjo nuk është koha për të fituar, por për të rezistuar dhe për të ndarë pjesën tuaj të barrës,” deklaroi ai, duke iu drejtuar importuesve.

Vetëm tre ditë më parë, Rama pati larë duart duke deklaruar: “Çmimi i naftës nuk varet nga qeveria, nuk është qeveria në tregun e lirë.”

Efikasiteti i ndërhyrjes mbetet për t’u parë ndërsa Rama nuk foli për ndryshim të mundshëm në barrën e taksave. Hapësira e tij për një ulje të taksave mbi karburantet, siç kanë bërë qeveri të vendeve të ndryshme, duket e kufizuar nga deficiti i stërmadh buxhetor i vitit të kaluar dhe borxhi publik në nivelin më të lartë historik.

Shpenzimet e qeverisë pritet të jenë veçanërisht të larta këtë vit për shkak të shtimit të mijëra personave në administratën publike pak para zgjedhjeve të vitit të kaluar, gjë që ka sjellë rritje të faturës së pagave të buxhetit ndërsa ka zhytur në vështirësi të mëdha financiare dhe në borxhe ndërmarrjet e sektorit publik, të tilla si ujësjellësit.

Rama u përpoq të zbusë zemërimin popullor duke sugjeruar se gjërat mund të shkojnë më keq para se të bëhen mirë dhe duke argumentuar, pa dhënë shpjegime mbi burimet e informacioneve që jep, se bota mund të mbetet pa naftë fare ose pa furnizime me mallra të domosdoshëm.

Në tregun ndërkombëtar çmimet e naftës kanë pësuar lëvizje dramatike në të dyja krahët ndërsa bota pret të shohë se çfarë do të ndodhë me naftën e Rusisë, e cila furnizon 7% të konsumit botëror por përballet me embargon e vendeve demokratike, të cilat po zgjedhin të paguajnë një çmim më të shtrenjtë karburanti me qëllim që të dënojnë Putinin për sulmin ushtarak të këtij të fundit kundër Ukrainës. Të premten, bursa e Londrës shënoi çmimin referencë BRENT në kuotën 113 USD për fuçi, pasi çmimi ishte rritur në 130 dollarë të hënën dhe ra në 108 dollarë të enjten. Parashikimet janë njësoj të pasigurta. Të premten, analistët e bankës gjermane Commerzbank thanë se presin që çmimet të jenë rreth 100 USD për fuçi përgjatë tre muajve të ardhshëm para se të ulen në rreth 90 USD për fuçi nga fundi i vitit. Sipas strukturës aktuale të taksave dhe kostove të tjera, kjo korrespondon me një çmim prejk 200-2010 lekë për litër në tregun shqiptar. Kjo vijon të jetë më e lartë se sa ishte vitin e kaluar, kur çmimi i naftës në bursë varioi nga 60 në 80 USD për fuçi.

- Reklame -
Google search engine

Most Popular

Related stories